Në pavionin e Ikonografisë vizitori njihet me mjeshtrat e mëdhenj të
ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër
Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenicasin, Kostandin e Athanas
Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonaku e shumë
autorë anonimë. Veçojmë këtu Onufrin, piktorin e shquar shqiptar, ikonografi i
shekullit XVI, që ka realizuar vepra të një niveli të lartë cilësor dhe që ka
ndikuar fuqishëm në zhvillimet e mëvonshme të artit pasbizantin në Shqipëri.
Tematika e punimeve të tij ka të njëjtat skena dhe program ikonografik me
kanonin bizantin, por figurat që pikturon Onufri, sidomos ato të skenave të
mëdha, janë të veçanta. Shumica e figurave të tij realizohen me tonalitete
pikante njëngjyrëshe e plot dritë, si e kuqja e tij e cilësuar si "e
papërsëritshme", nga kritikët më të njohur të artit botëror. Më shpesh
këto figura ai i pasqyron me pelerina të gjata shumëngjyrëshe, ku forma e
realizimit është e veçantë, mjetet artistike janë të zgjedhura aq sa të
mahnisin me mjeshtërinë e realizimit. Onufri, ky mjeshtër i madh i ikonografisë
shqiptare, duke thyer herë - herë kanonet e stilit bizantin të pikturimit, futi
elementë jetësorë, lokalë në punët e tij, duke u bërë kështu dhe themelues i
shkollës shqiptare të ikonografisë.
Në këtë pavion ndihet tek pasardhësit ndikimi i veprës së Onufrit.Veçojmë në
këtë periudhë disa shkolla të rëndësishme të ikonografisë si në Berat, Korçë,
Voskopojë, Elbasan (Shpat), Myzeqe, Gjirokastër. Krahas punimeve të këtyre
ikonografëve të shquar shqiptarë, vizitori ka mundësi në këtë pavion të njihet
dhe me ikonostasin e kishës së Shën Gjon Vladimirit në Elbasan, shek. XIX,
vepër e mjeshtrave shqiptarë të drugdhendjes dhe fragmente të ikonostaseve të
tjerë, siç janë Dyert e bukura të kishës katedrale, të Elbasanit, punimi i
ikonografit Mihal Anagnosti.