|
|
| Pavioni i Genocidit Komunist |
| Click on the image to enlarge |
Ky pavion është çelur në vitin 1996 dhe përfshin ngjarje nga viti 1943 - 1992. Në vitrinat e para të tij jepen fakte, foto e dokumenta që paraqesin krijimin e forcave politike si "Balli Kombëtar" dhe "Legaliteti". Në vazhdim vizitori njihet me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes nga këto forca nacionaliste . Vend të gjerë më pas zë pasqyrimi me shumë dokumenta e foto i operacioneve të spastrimit të forcave antikomuniste, gjyqi special ndaj kundërshtarëve politikë të kohës së luftës, si dhe likuidimi i opozitës antikomuniste. Në vitrina vizitori njihet gjithashtu me relikte të shumta të personave të dënuar apo të pushkatuar nga rregjimi i kohës.
Në një kënd të veçantë jepet goditja kundër klerit, fesë dhe institucioneve fetare, goditje kjo, që u shoqërua me gjyqe, dënime apo eliminime fizike të klerikëve të ndryshëm, prej të cilëve janë të ruajtura e të ekspozuara një numër i madh objektesh personale.Vitrinat në vazhdim na njohin me fatin e shumë deputetëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që dolën kundër masave të marra nga rregjimi komunist i vendosur pas vitit 1944. Tronditëse është vitrina, që paraqet dënimin dhe pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm, të cilët në vitin 1951 u akuzuan padrejtësisht për gjoja bombën e hedhur në ambasadën sovjetike. Të njëjtin fat patën dhe shumë intelektualë, kuadro në ushtri dhe në fushën e kulturës dhe artit, gjë që paraqitet në një material të bollshëm fotografik e dokumentar dhe objekte. Në këtë pavion, krahas një qelie të improvizuar burgu, në vitrina mund të njihesh me një koleksion veglash e mjete torturash, të përdorura në kohën e diktaturës komuniste.
Vend të gjerë zë edhe terrori dhe genocidi gjatë agonisë së diktaturës komuniste në vitet 1985 - 1992
Fundi i kësaj diktature jepet me lëvizjen e fuqishme studentore e mbarëpopullore, e cila çoi në përmbysjen e saj dhe vendosjen e demokracisë me zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit 1992.
Në mbyllje të pavionit tërheq vëmendjen si një libër i hapur, afishimi i një numri të madh emrash të personave të dënuar dhe të pushkatuar gjatë diktaturës komuniste
Further information
|
|
| Bibliography: |
|
| Location: | Pavioni i Genocidit Komunist |





