Është pavioni më i rëndësishëm dhe nga më të pasurit me
objekte në Muzeun Historik Kombëtar me afro 400 objekte.
Objektet e paraqitura nisin që me Paleolitin e Vonë, ku kultura prehistorike
dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Shquhen objektet e
vendbanimit prehistorik të Maliqit, që përfaqëson lulëzimin neolitik që nga
mesi i mijëvjeçarit IV, deri rreth vitit 2600 para Krishtit. Një nga vitrinat
ofron një koleksion të shkëlqyer të poçerisë parahistorike (qeramika e
pikturuar, zbuluar në Maliq dhe Kamnik të rrethit të Kolonjës). Objektet e paraqitura në vitrinat e tjera, na çojnë në
Periudhen e Bronxit dhe në atë të Hekurit, periudha që përvijojne tiparet e
popullit ilir. Vizitori i vëmendshëm, nëpërmjet vitrinës që përmban objekte të
Periudhës së Hekurit të viteve 1100- 500 para Krishtit, krijon një përfytyrim
të saktë për konsolidimin e etnisë ilire, me të gjitha karakteristikat dalluese
kulturore të saj. Këto karakteristika shfaqen më mirë në ornamentet e grave dhe
armët e gjetura në varret e zbulura në luginën e mesme të Matit, që tregojnë se
banorët ilirë të kësaj krahine ishin mjeshtra dhe artistë të vërtetë.
Interes paraqet qeramika e pikturuar devollite, zbuluar në luginën e sipërme të
lumit Devoll, që ishte e përhapur ndërkohë dhe në Epir, Maqedoni, Thesali e
deri në Italinë e Jugut.Në sallën e dytë të këtij Pavioni, janë ekspozuar
objekte të zbuluara në krahinat e Ilirisë së Jugut të shek. IV- III, para
Krishtit. Objektet e ekspozuara dëshmojnë kulturën urbane ilire , e cila nuk
është aspak inferiore ndaj kulturave të tjera mesdhetare të Antikitetit si dhe
ndikimin dhe gërshetimin me kulturat greke dhe romake.Përmendim këtu dëshmitë
që flasin qartë për zhvillimin e qytetit ilir në përgjithësi dhe për historinë
e Shtetit Ilir.Monedha argjendi dhe bronxi, të prera në emër të mbretërve ilirë
Monun e Gent, të qendrave ilire të Shkodrës, Lezhës Amantias, Bylisit, Durrësit
dhe Apolonisë,që datojnë që nga mesi i shek. V para Krishtit,dëshmojnë për një
ekonomi të fortë dhe janë ekspozuar në një vitrinë të rrethuar nga bazorelieve
origjinalë të kohës. Impresionuese janë skulpturat e shkollës apolloniate apo
Hyjnesha e Butrintit, një nga skulpturat më të bukura të kohës, e shek. IV para
Krishtit, e quajtur '' Dea e Butrintit'', mozaiku ''Bukuroshja e Durrësit'' e
shek. IV para Krishtit, koka e Artemisës, paraqitja antropomorfe e hyut të
lumit Vjosa, si një plak i shtrirë, koka e një burri në gur gëlqeror (shek . V
pas Krishtit), vazo të zbukuruara me figura me ngjyrë të kuqe, bustet e
mbretërve ilirë Pirro, Teuta, Genti etj.
Vend të rëndësishëm zënë gjetjet e Varrit monumental të Selcës.( Pogradec )
Ky pavion mbyllet me objekte që i përkasin Mesjetës së Herëshme, shekujt
IV-VII, ku interes të veçantë paraqet Kultura e Komanit, e cila dëshmon për
vazhdimësinë e pandërprerë iliro-arbërore e shprehur kjo si në kulturën
materiale dhe në toponimi.