Document Actions
logo museo napolibeniculturali

Historiku

Museo

Muzeu Historik Kombëtar (MHK) u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. E ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit ''Skënderbej '', godina e MHK është një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. Ajo zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2, ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3.

Muzeu është konceptuar që prezantimi i tij të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve.


Pavioni i Lashtësisë është pavioni më i rëndësishëm dhe nga më të pasurit me objekte në Muzeun Historik Kombëtar me afro 400 objekte.
Objektet e paraqitura nisin që me Paleolitin e Vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona, duke vazhduar me lulëzimin neolitik , dhe me Periudhën e Bronzit dhe atë të Hekurit, periudha këto që përvijojnë tiparet e popullit ilir. Ky pavion mbyllet me objekte që i përkasin Mesjetës së Herëshme.





Pavioni i Mesjetës të cilit i janë kushtuar dy salla ku vizitorët kanë mundësi të njihen krahas zhvillimit ekonomik, social, politik e kulturor të shqiptarëve që kanë ruajtur karakteristikat e tyre të veçanta, edhe me dokumenta dhe fakte që flasin për përballimin dhe qëndresën ndaj pushtimeve të huaja si bizantine, anzhuine, serbe, osmane. Në vitrina të ndryshme ka dëshmi të zhvillimit të bujqësisë në Kosovë, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Delvinë e sidomos në Myzeqe, ku prodhohej grurë në sasira të mëdha për eksport; të tjera dëshmi flasin për zhvillimin e qyteteve që u bënë edhe qendra të prodhimeve artizanale e tregtare e ku priteshin monedha të principatave shqiptare dhe qarkullonin monedha të huaja si bizantine, veneciane, serbe, franceze. Një vend të veçantë zë ekspozimi i një numri të madh veprash arti e arkitekturore si kalatë e Beratit, Shkodrës, Prizrenit, Durrësit apo edhe i shumë kishave dhe kapiteleve.

Pavioni i Rilindjes Kombëtare jep një pasqyrë të plotë të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor të Shqipërisë nga fillimi i shekullit XIX deri në prag të Shpalljes së Pavarësisë. Nëpërmjet objekteve të ekspozuara në stenda dhe vitrina, vizitori ka mundësi të njohë nga afër prodhimet e mjeshtrave artizanë shqiptarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë si në Shkodër, Prizren, Elbasan, Berat, Korçë etj. Një hartë paraqet grafikisht lidhjet tregtare midis qyteteve të vendit me ato të Ballkanit dhe më gjerë.Pjesë e pavionit është dhe një kënd që jep mënyrën e jetesës në fshat dhe qytet.


Pavioni i Pavarësisë çelet me veprimtarinë e Qeverisë Kombëtare të Vlorës dhe organizimi i shtetit të pavarur shqiptar. Më tej, vizitori nëpërmjet dokumentave dhe hartave ka mundësi të njihet me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 lidhur me kufijtë e Shqipërisë, me pazaret e Fuqive të Mëdha në dëm të tokave shqiptare, me qëndrimet e prera të përfaqësuesve të Qeverisë Kombëtare të Vlorës, si dhe me protestat popullore në mbarë vendin për të kundërshtuar këto vendime. Zënë vend në këtë pavion dhe Lufta e Vlorës, qershor - shtator 1920 si dhe veprimtaria e qeverisë së kryesuar nga Fan Noli, e cila zgjati vetem gjashtë muaj.


Pavioni i Ikonografisë ka të ekspozuar një koleksion prej 65 ikonash të shekujve XIV - XIX. Këtu vizitori njihet me mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare duke filluar me Onufrin, të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, Kostandin Shpatarakun, David Selenicasin, Kostandin e Athanas Zografin, Mihal Anagnostin, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonaku e shumë autorë anonimë. Veçojmë këtu Onufrin, piktorin e shquar shqiptar, ikonografi i shekullit XVI, që ka realizuar vepra të një niveli të lartë cilësor dhe që ka ndikuar fuqishëm në zhvillimet e mëvonshme të artit pasbizantin në Shqipëri.

Pavioni i Etnokulturës paraqet kostume tradicionale shqiptare të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Ato i përkasin shekujve XIX- XX dhe prejardhja e tyre është nga e gjithë Shqipëria: kostume tradicionale të Tiranës (burra e gra), të Zadrimës, të Korçës, të Gjirokastrës , Kukësit, Labërisë, Malësisë së Madhe. Një grup më vete përbëjnë 32 kostumet arbëreshetë shqiptarëve të Italisë.




Pavioni i Luftës Antifashiste në të cilin paraqiten ngjarjet që nga Lufta e Vlorës (1920 ), duke vazhduar më pas me ngjarjet në vitet `20 -`30 pas ardhjes në pushtet në Itali të diktaturës fashiste të Benitto Musolinit. Rëndësi i kushtohet Luftës së Spanjës dhe vullnetarëve shqiptarë që morën pjesë. Për herë të parë, në këtë pavion zë vend edhe antifashizmi në Çamëri, organizimi i popullsisë së kësaj krahine në rezistencën antifashiste. Në pavion ka shumë relikte të dëshmorëve apo heronjve të popullit, rënë në luftë kundër nazifashizmit italo-gjerman.

Pavioni i Genocidit Komunist është çelur në vitin 1996 dhe përfshin ngjarje nga viti 1943 - 1992. Në vitrinat e para të tij jepen fakte, foto e dokumenta që paraqesin krijimin e forcave politike si "Balli Kombëtar" dhe "Legaliteti". Në vazhdim vizitori njihet me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes nga këto forca nacionaliste . Vend të gjerë më pas zë pasqyrimi me shumë dokumenta e foto i operacioneve të spastrimit të forcave antikomuniste, gjyqi special ndaj kundërshtarëve politikë të kohës së luftës, si dhe likuidimi i opozitës antikomuniste. Në vitrina vizitori njihet gjithashtu me relikte të shumta të personave të dënuar apo të pushkatuar nga rregjimi i kohës.

« November 2014 »
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30
 

Comunità Europea Interreg Italia-Albania Regione Puglia Ministria e turizmit, kultures, rinise dhe sporteve Direzione Regionale per i Beni Culturali e Paesaggistici della Puglia Tecnopolis Novus Ortus

This site conforms to the following standards:

Section 508 WCAG
Valid XHTML Valid CSS
Usable in any browser